
Ngjarja tragjike e cila ndodhi mbrëmë në qytetin e Tetovës, ku u gjet pa shenja jete një studentja 25 vjeçare Daorsa Spahija nga Kosova, është raportuar në mënyra të ndryshme nga shumë media të vendit dhe jo vetëm, informon Telegrafi Maqedoni.
Pa asnjë deklaratë zyrtare, pa asnjë informacion të verifikuar, disa media raportuan duke dhënë informacione mbi aludime të mundshme për ngjarjen me fatalitet.
Për mënyrën e informimit mediatik, ka reaguar sot edhe Nora Kaliqi, anëtare e Këshillit për Media, e cila në reagimin e saj shkruan se disa media raportuan duke u bazuar në thashetheme e jo në burime zyrtare.
Kaliqi ka apeluar deri tek qytetarët që kanë rastisur në informim jo-etik, t’i raportojnë rastet deri tek Këshilli i Mediave.
Reagimi i plotë:
NUK DUHET ZHDUKUR HUMANITETI PËR TITUJ E KLIKIMETragjedia që ndodhi mbrëmë në Tetovë me një studente nga Kosova ka prekur thellë të gjithë opinionin publik. Por ajo që shqetëson po aq sa lajmi vetë, është mënyra se si disa media portale e kanë raportuar këtë rast.Në mungesë të informacioneve zyrtare, shumë media kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, të publikojnë thashetheme, supozime dhe “burime të paidentifikuara”, duke nxitur pasiguri, frikë dhe panik tek prindërit e qindra studentëve që studiojnë në Tetovë.Ky nuk është informim. Ky është keqinformim, dhe përbën shkelje të qartë të parimeve etike të gazetarisë. Sipas Rregullores për Raportim në Hapësirën Online të Këshillit të Mediave Etike, çdo medium është i detyruar:• Të publikojë vetëm informacione të verifikuara nga burime zyrtare ose të besueshme (Neni 1, pika 3);• Të respektojë dinjitetin e personave të përfshirë në raste tragjike dhe të ndjeshme (Neni 2, pika 5);• Të shmangë publikimin e detajeve të panevojshme që mund të shkaktojnë dëm ose shqetësim (Neni 3, pika 7);• Dhe mbi të gjitha, të mos e sakrifikojë të vërtetën për klikime (Neni 4, pika 1). Të gjithë qytetarët që kanë evidentuar media apo portale që kanë shkelur këto pika, ftohen të dërgojnë ankesë në Këshillin e Mediave Etike të Maqedonisë (KEMM).Të gjitha ankesat do të shqyrtohen në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Na shkruani në: [email protected] plotësoni formularin online në këtë link: https://complaints.semm.mk/podnesi-zalba/ (Mund të zgjidhni gjuhën në të cilën dëshironi ta dërgoni ankesën.)Mos të harrojmë se ngjarjet që trondisin opinionin publik nuk janë senzacion.Ato prekin jetën dhe ndjenjat e njerëzve — të familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve.Raportimi pa ndjeshmëri e pa verifikim nuk informon, por lëndon, krijon frikë, pasiguri dhe shqetësim tek ata që presin të vërtetën. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e studentes së ndjerë.Raportoni me përgjegjësi. Mos e humbni humanitetin për një titull më shumë.
Theksojmë se edhe Universiteti i Tetovës nëpërmjet Kuvendit Universitar të Studentëve, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e studentes, Daorsa Spahija, duke thënë se largimi i saj i papritur u përjetua me dhimbje të madhe në shoqërinë studentore. /Telegrafi/