Ky nuk është vetëm fillimi i një projekti infrastrukturor, por realizimi i një vizioni të përbashkët – një vizion i rrënjosur në bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian dhe partneritetin e qëndrueshëm midis dy shteteve tona, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili së basku me kolegun e tij grek, Teodorot Livanios, ambasadorin e BE-së në vend Mihalis Rokas, përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale ka marrë pjesë në ngjarjen “Stacioni Kufitar i Liqenit të Prespës-Vendosja e vendkalimit kufitar ndërmjet Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në zonën e Liqenit të Prespës”.
Kjo shënoi fillimin e fazës BorPress2 të projektit, e cila në fund ka për qëllim që të vendosë një vendkalim kufitar ndërmjet Markova Nogës (Maqedoni) dhe Lemos (Greqi) që do të zvogëlojë kohën e udhëtimit ndërmjet Lemosit dhe Resnjës nga më shumë se dy orë në vetëm 40 minuta. Në këtë projekt me vlerë mbi 7.7 milionë euro, 80% e të cilave është financuar përmes programit IPA 3 të Bashkimit Evropian, planifikohet të rinovohet stacionin ekzistues policor në anën maqedonase, ndërtimi i një ndërtesë të re për kontrollin doganor dhe kufitar në anën e Greqisë dhe zhvillimin e shtegut ndërkufitar për këmbësorë ndërmjet fshatrave Bratuçinë dhe Agios Germanos me qëllim promovimin e eko-turizmit. Partnerë në projekt janë Ministritë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe të Greqisë, Rajoni i Maqedonisë Perëndimore në Greqi dhe komunat e Resnjës dhe të Prespës.
“Sot shënojmë fillimin e projektit BorPress2 dhe vendosen themelet për hapjen e ardhshme të vendkalimit kufitar Markova Nogë / Lemos. Gjatë viteve, marrëdhënia ndërmjet vendeve tona është bërë me e fuqishme – në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëpunimin praktik dhe ndjenjës së thelluar për një të ardhme të përbashkët. Ky vendkalim i ri kufitar është një shprehje e fuqishme e kësaj marrëdhënieje. Është një demonstrim konkret i vullnetit politik, aftësisë teknike dhe mirëkuptimit tonë të përbashkët se në Evropën e sotme, kufijtë duhet të lidhin, e jo të ndajnë”, theksoi ministri Toshkovski.
Ministri Toshkovski elaboroi se ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Evropian përmes Instrumentit së ndihmës për anëtarësim – IPA dhe Programit për bashkëpunim ndërkufitar, që mundësuan financimin e nevojshëm, ekspertizën teknike dhe mundësinë që të nxjerrim sadopak forcë nga qëllimi kolektiv evropian në të cilin lidhshmëria, bashkëpunimi dhe integrimi janë shtylla jetësore të paqes dhe të prosperitetit.
“Forca e Evropës qëndron në unitetin e saj dhe në urat që ndërtojmë përtej kufijve – e jo në muret që ngremë midis nesh. Përmes projektit BorPress2, po e shndërrojmë këtë qëllim në një ndikim praktik dhe të matshëm. Ky projekt është dëshmi se integrimi evropian nuk është një aspiratë e largët – është një proces i gjallë, i rrënjosur në rezultate të prekshme: rrugë më të mira, kufij të sigurt dhe një cilësi më e mirë jetese për qytetarët që u shërbejmë”, theksoi Toshkovski.
Projekti filloi më 14 shkurt të vitit 2025 dhe është planifikuar të zgjasë 36 muaj, duke përfunduar më 13 shkurt të vitit 2028.
The post Vendoset vendkalim kufitar RMV-Greqi në zonën e Liqenit të Prespës, Toshkovski: Në Evropë kufijtë duhet të lidhin vende e jo të ndajnë appeared first on Telegrafi.