
Vijojnë afatet për shqyrtimin e listës zgjedhore nga ana e qytetarëve, që do të zgjasë deri më 11 shtator. Qytetarët për çdo plotësim, regjistrim apo ndryshim të të dhënave, mund ta dorëzojnë me shkrim në zyrat rajonale dhe në postën elektronike të KSHZ-së. Shqyrtimi i listës bëhet online përmes uebfaqes së KSHZ-së, SEC.mk. Aty tregohet saktë se kush në cilin vendvotim dhe në cilën shkollë duhet të votojë.
Përpos online, qytetarët listën mund ta shqyrtojnë edhe nëpër pikat rajonale të KSHZ-së. Banorët e Çairit, Butelit, Shuto Orizares dhe Çuçer Sandevës, këtë mund ta bëjnë në pikën që gjendet afër stacionit policor në Butel.
Listat zgjedhore gjithnjë kanë qenë problematike, më së shumti për shkak ndryshimit të adresave të qytetarëve, apo migrimit nga një qytet në tjetrin. Por, listat zgjedhore kanë qenë kryetemë në zgjedhjet e 2016-tës, kur atëkohë VMRO-DPMNE pati regjistruar votues fantom në adresa ku kryesisht nuk banonte askush. Një nga shembujt ishte kjo rrugë, Maksim Gorki.
“Kjo është një nga adresat në të cilat “banonin” votuesit fantom nga zgjedhjet e vitit 2016, e të cilët shfrytëzoheshin për të mbushur listat e votimit. Votuesit fantom u patën vendosur në adresa ku banojnë qytetarë, në adresa të pa banueshme, në banesa dhe hyrje inekzistente, në institucione shtetërore, hapësira afariste e të tjera”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar.
Në fakt, votuesi fantomë kanë ekzistuar edhe në ciklet e mëhershme zgjedhore. Disa prej tyre ishin me prejardhje nga Pusteci i Shqipërisë, e disa prej tyre nga Dragashi i Kosovës. Mijëra votues fantomë ishin në komunën Qendër të shpërndarë në disa adresa. Ky përpilim politik i listës zgjedhore, ishte kryetemë edhe në bombat që publikonte atëkohë ish kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Ka një gjë të rrezikshme, por këtë e dimë ne dhe për këtë shkak insistuam që komitetet të japin më tepër adresa. Siç e di, kemi nga 50 njerëz në një banesë prej 40m2. E tani, kjo është. Mirë, kjo është. Ata mund ta shohin këtë si adresë? Mundet, shkruan në listën zgjedhore”, thuhet në një bisedë telefonike nga përgjimet mes Gordana Jankullovskës dhe Kirill Bozhinovskit.
Së fundmi në një intervistë për Alsat, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, njoftoi se bashkëpunimi me institucionet tjera për shkrirjen e të dhënave të qytetarëve është shumë i mirë dhe të gjitha institucionet i plotësojnë detyrimet e tyre në afatet e duhura. Ndryshimet e fundit të KSHZ-së në listën zgjedhore janë bërë më 1 maj 2025, ku të regjistruar janë 1,818,963 votues.
The post Vijon afati për shqyrtimin e Listës zgjedhore, qytetarët inkurajohen të kontrollojnë të dhënat e tyre appeared first on Telegrafi.