Koalicioni VLEN në një kumtesë për media e akuzon BDI-në se ma marrëveshje me partinë “E Majta” për zgjedhjet lokale. Nga VLEN thonë se BDI ka humbur çdo lloj orientimi politik.
“Marrëveshja e errët që është kurdisur mes të dërguarit të Ahmetit, Krenar Llogës kreut të Levicës, Dimitar Apasiev, me të përfshirë edhe sekretaren e tij të përgjithshme, Jovana Mojsovska, nuk është gjë tjetër veçse një tradhti e rëndë ndaj struganëve. Skenari është i qartë: Mojsovska futet si kandidate “surprizë” në Strugë, me mision të mbledhë votat e bllokut maqedonas gjoja për të parandaluar fitoren që në rrethin e parë të kandidatit që mbështetet nga VLEN, Mendi Qyrës. Ky është një plan i turpshëm, i orkestruar nga Lloga dhe BDI, që bashkëpunojnë hapur me forca politike që e kanë ngritur karrierën e tyre mbi albanofobi”.
“Kjo është prova më e fortë se BDI është e gatshme të shkelë mbi çdo gjë vetëm e vetëm për të mbetur relevant në skenë. Për ta, pushteti është më i rëndësishëm se dinjiteti i shqiptarëve, pazaret e errëta me albanofobët vlejnë më shumë se e ardhmja e struganëve”.
“VLEN e denoncon me forcë këtë plan të pistë dhe i bën thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e skenarëve të orkestruar nëpër korridore të errëta. Pyetja është e thjeshtë dhe mbetet pa përgjigje: për çka u morën vesh Krenar Lloga dhe Apasievi? Për ta shitur Strugën? Për të ndalur ndryshimin? Për të mbajtur gjallë një pushtet të kalbur me korrupsion e krim që ka mbisunduar në Strugë këto 20 vite”, thonë nga VLEN.