
Në kuadër të pjesëmarrjes së suksesshme në Forumin Ekonomik të Biznesit, një nga ngjarjet më të rëndësishme rajonale të këtij viti, të mbajtur në Sarajevë, ministri i Ekonomisë dhe përfaqësues i VLEN, Besar Durmishi, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendësguvernatorin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Autoritetin e Përgjithshëm për Tregtinë e Jashtme (GAFT) të Arabisë Sauite, Shkëlqesinë e Tij Abdulaziz Alsakran, që është një nga figurat kyçe në diplomacinë ekonomike të këtij shteti.
Nga VLEN thonë se ky takim shënoi një ndër momentet më të spikatura të forumit, duke hapur horizonte të reja bashkëpunimi ekonomik dhe duke konfirmuar pozitën aktive të Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e partneriteteve strategjike me ekonomitë më të fuqishme globale.
“Të dyja palët e konfirmuan interesin e ndërsjellë për rritjen e shkëmbimit tregtar, i cili aktualisht kap vlerën prej 44 milionë dollarësh, me synimin për tejkalimin e këtij niveli përmes iniciativave të përbashkëta dhe projekteve konkrete zhvillimore. Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi strategjike, përfshirë: organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit dhe realizimin e vizitave të ndërsjella të delegacioneve ekonomike; krijimin e kushteve për investime saudite në sektorë me prioritet të lartë për zhvillimin ekonomik të vendit, si agrokultura, turizmi dhe infrastruktura e qëndrueshme; mbështetja për zhvillimin e Qendrës së Skijimit “Kodra e Diellit” në Tetovë, si projekt kyç për nxitjen e turizmit malor dhe zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut dhe inkurajimin e certifikimit Hallall të produkteve vendore, kjo në funksion të rritjes së eksporteve dhe diversifikimit të tregjeve ndërkombëtare.
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka potencial të konsiderueshëm, ndërsa me partnerë strategjikë si Arabia Saudite ky potencial mund të shndërrohet në projekte konkrete që sjellin zhvillim, vende dhe mirëqenie për qytetarët”, thonë nga VLEN.
The post VLEN: Do të sjellim investitorë strategjikë nga Arabia Saudite për Kodrën e Diellit dhe agrobiznesin appeared first on Telegrafi.