Veprimi i Arben Taravarit nuk po gjykohet e dënohet vetëm nga subjekti VLEN, si ish partner koalicioni me të, por edhe nga njerëzit e tij më të afërt. Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i të dëshpëruarve për vendimin skandaloz të Taravarit që të shkojë në prehrin e Ahmetit. Dorëheqja e deputetit Salim Sulejmani është dëshmia më e mirë se shqiptarët nuk blihen e as nuk shiten për pozita. Ky është akti më i lartë moral që meriton çdo respekt, thuhet në kumtesën e sotme të VLEN-it.
Nga VLEN thonë se sikurse deputeti Sulejmani janë të mendimit pjesa dërrmuese e strukturës së Aleancës për Shqiptarët dhe dorëheqjet kanë filluar të shfaqen në mënyrë masive, kjo sepse votuesi i ASH-së nuk e gëlltit vajtjen në prehrin e Ali Ahmetit vetëm për shkak të pazareve të Taravarit.
“Ish partneri ynë i koalicionit e vulosi edhe njëherë se nuk e ka idenë e udhëheqjes ose menaxhimit të partisë. Ai për më pak se dy vite e dëmtoi aq shumë këtë subjekt, sa nuk ka dëmtuar asnjë parti oponente. Tani, kur dorëheqjet janë të njëpasnjëshme, duket qartë që Taravari do të përfundojë i vetëm në prehrin e Ali Ahmetit.
Ne si VLEN, që nga fillimi kemi qenë të mendimit se në ASH ka njerëz të ndershëm e me përgjegjësi morale para elektoratit dhe këto pohime tona i vulosi sot deputeti Sulejmani, si edhe një varg funksionarësh të tjerë, aktivistë e votues, të cilët assesi nuk rreshtohen me të keqen.
Qytetari shqiptar, qoftë funksionar, aktivist ose votues, nuk është mjet në duart e Taravarit që të shfrytëzohen për pazare të ulëta”, thonë nga VLEN.
Nga VLEN shtojnë se tërmeti politik do të ndodhë, madje do të jetë aq i fortë, saqë do të dridhen edhe Ahmeti e Taravari./Telegrafi/
The post VLEN: Dorëheqja e deputetit Salim Sulejmani e lë Taravarin të vetmuar në prehrin e Ahmetit appeared first on Telegrafi.