
“Arber Ademi dhe BDI sot mbajnë konferenca për shtyp dhe flasin për padrejtësitë në regjistrim dhe për përjashtimin e shqiptarëve nga përfaqësimi i drejtë, të cilat pikërisht ata, nga BDI-ja, i planifikuan, i votuan dhe i zbatuan”, kështu reagojnë nga koalicioni VLEN.
Sipas koalicionit shqiptar në qeveri, e vërteta është se pikërisht ata nga BDI e përgatitën dhe e votuan këtë regjistrim dhe e shkaktuan dëmin që sot e ndjejnë të gjithë shqiptarët.
Reagimi i VLEN-it:
BDI e përgatiti Ligjin për regjistrim. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe e gjithë struktura qeveritare e BDI-së ishin ata që e hartuan dhe e propozuan Ligjin.
Arber Ademi dhe deputetët e BDI-së e votuan Ligjin, ndërsa sot po i njëjti njeri që votoi për ligjin del dhe flet kundër pasojave të tij.
BDI futi anomalitë më të mëdha në regjistrim me rubrika që nuk ekzistojnë askund në botë. Në vend të një regjistrimi të qartë dhe të drejtë, ata mundësuan që bashkëqytetarët tanë të trajtohen si “të huaj” në shtetin e tyre.
BDI me vetëdije e sakatoi statistiken dhe pikërisht për shkak të kompromiseve të tyre, shqiptarët sot, në vend se të figurojnë 29,5%, paraqiten si 24,3%.
Përgjegjësia është e qartë, sepse askush tjetër, përveç BDI-së, nuk ka faj për këtë gjendje. Dhjetëra paralajmërime nga ekspertë dhe organizata qytetare u injoruan, vetëm që të plotësohen interesat personale dhe partiake të udhëheqjes së Ali Ahmetit.
BDI u mor me biznese dhe nuk u interesua për interesat e shqiptarëve.
Prandaj, VLEN pyet:
A e kupton Arber Ademi vetëm tani çfarë dëmi u shkaktuan shqiptarëve?
A do ta pranojnë më në fund Bujar Osmani, Ali Ahmeti dhe Arber Ademi se mashtruan diasporën dhe shqiptarët jorezidentë?
A do të marrë përgjegjësi Ali Ahmeti dhe BDI për këtë mashtrim historik?
VLEN do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Ne nuk do të lejojmë që numri dhe dinjiteti i tyre të falsifikohen. Ajo që e shkatërroi BDI, VLEN do ta ndreqë.
The post VLEN: Ligjin për regjistrim e përgatiti BDI, shqiptarët sot në vend se të figurojnë 29,5 për qind, paraqiten si 24,3 për qind appeared first on Telegrafi.