VLEN ka reaguar pas largimit të Ziadin Selës nga koalicioni AKI. Nga VLEN thonë se janë të shqetësuar për turbulencat që po zhvillohen brenda kampit opozitar shqiptar, zhvillime që sipas tyre, nuk i shërbejnë as demokracisë, as stabilitetit politik, e as interesit të qytetarëve.
Nga VLEN thonë se brenda një periudhe të shkurtër, AKI ka pësuar largime të njëpasnjëshme të figurave kyçe: largimi i Menduh Thaçit, largimi i Arjanit Hoxhës dhe së fundmi, largimi i Ziadin Selës.
“Këto nuk janë lëvizje të rastësishme. Këto janë shenja të një strukture politike që po shpërbëhet, që ka humbur orientimin, besimin e brendshëm dhe rrugën para. VLEN nuk gëzohet me këtë. Përkundrazi: VLEN ka nevojë për një opozitë të fortë, të përgjegjshme dhe koherente. Jo opozitë “copa-copa”, jo opozitë që ndahet çdo javë, jo opozitë që i frikësohet debatit dhe transparencës”.
“Një opozitë e dobët nuk e dëmton VLEN, e dëmton sistemin politik të vendit, e dëmton balancën demokratike dhe e lë qytetarin pa alternativë reale. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që e quajnë veten opozitare ta rikthejnë maturinë, seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon momenti. VLEN është këtu për të bashkëpunuar me çdo forcë politike që e ka seriozisht reformën, që respekton institucionet, dhe që i shërben qytetarit, jo interesave personale, jo pazareve, jo luftërave të brendshme”.
“Qytetarët meritojnë stabilitet. Qytetarët meritojnë opsione serioze. Qytetarët meritojnë politikë me përgjegjësi. VLEN do të vazhdojë me forcë rrugën e ndryshimit, pa u ndalur dhe pa u larguar nga parimet e saj. Por kjo rrugë bëhet më e drejtë, më e shëndetshme dhe më demokratike kur përballë ka një opozitë që është funksionale, jo një opozitë që behet copa para syve të njerëzve”, thonë nga VLEN.