
“Mendoj se njohja e identitetit dhe gjuhës së një vendi kandidat duhet të jetë një çështje e natyrshme dhe pa probleme”, tha raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, eurodeputeti austriak Thomas Waitz, në lidhje me mospërfshirjen e termave gjuhë dhe identitet maqedonas në versionin e miratuar të Raportit të tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në një konferencë për shtyp pas miratimit të Raportit për RMV-në për vitin 2023 dhe 2024 nga PE, Waitz theksoi se ndryshimet në versionin fillestar të dokumentit për njohjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase erdhën nga katër grupe në Parlamentin Evropian.
“Nuk mendoj se ishin gabim, por në një proces demokratik u vendos që kjo temë të mos përfshihet në këtë Raport. Mendoj se është një vendim demokratik që duhet të pranohet dhe unë e pranoj”, tha Waitz.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi parimet e pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe mbi njohjen e krimeve të së kaluarës, gjë që duhet bërë në mënyrë që të vazhdohet ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët.
“Mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë. Të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, të gjitha vendet në rajon, duhet të përqendrohen në këtë për të mirën e qytetarëve tanë, për një zhvillim më të mirë ekonomik, për një zhvillim më të mirë shoqëror, dhe veçanërisht në situatën aktuale gjeostrategjike, sipas mendimit tim, është me rëndësi të madhe që të mbetemi të bashkuar dhe të bashkojmë forcat në mbrojtje të vlerave tona evropiane në këtë botë globale mjaft armiqësore”, tha Waitz, duke shtuar se ua përcjell këtë qëndrim kolegëve të tij nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Waitz kujtoi se ky është Raporti i parë i miratuar i PE-së për vendin që nga viti 2022 dhe miratimi i tij me një shumicë të konsiderueshme prej dy të tretash është një nxitje për vendin që të ecë përpara drejt një fillimi efektiv të negociatave të pranimit./Telegrafi/
The post Waitz: Propozimi për mospërfshirjen e gjuhës maqedonase në raport erdhën nga katër grupet parlamentare të PE-së appeared first on Telegrafi.