
Shumë prej nesh përdorin numërues hapash, por e dimë vërtet sa hapa duhet të bëjmë çdo ditë për të përmirësuar shëndetin dhe pamjen fizike?
Për vite me radhë kemi dëgjuar se “shifra e artë” është 10.000 hapa në ditë, por për shumë persona me ritme të ngjeshura jete, ky synim është shpesh i paarritshëm.
Megjithatë, një studim i ri, i publikuar në revistën shkencore JAMA Netëork in Nutrition, Obesity, and Exercise, sugjeron një objektiv më realist dhe të arritshëm: vetëm 7.000 hapa në ditë mund të jenë të mjaftueshëm për të reduktuar rrezikun e vdekjes së parakohshme dhe për të shtuar vitet e jetës në mënyrë të shëndetshme.
7.000 hapa = 50-70% më pak rrezik për vdekje të parakohshme
Hulumtimi, i realizuar nga Universiteti i Massachusetts, përfshiu 2.110 burra dhe gra me moshë mesatare rreth 45 vjeç, të cilët u ndoqën për më shumë se 13 vjet (2005-2018).
Deri në fund të studimit, 3% e pjesëmarrësve kishin ndërruar jetë. Studiuesit zbuluan se personat që bënin rreth 7.000 hapa në ditë, kishin një rrezik 50-70% më të ulët për vdekje të parakohshme krahasuar me ata që ishin më pak aktivë.
Interesante është se shpejtësia e hapave nuk kishte ndikim të madh – rëndësi kishte vetëm numri total i hapave të përditshëm.
Më shumë se 10.000 hapa? Pa përfitime shtesë
Ndryshe nga sa është besuar, bërja e mbi 10.000 hapave në ditë nuk rezultoi me përfitime shtesë për jetëgjatësinë.
Prandaj, për ata që ndodhen në moshën e mesme, më shumë ecje është më mirë, por nuk ka nevojë për tejkalime ekstreme, një qëllim prej 7.000 hapash është i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin dhe për të reduktuar ndjeshëm rreziqet e lidhura me jetesën sedentare.