200 mijë bimë kanabis të asgjësuara, Proda bën bilancin e operacioneve antikanabis me Guardia di Finanza

Pinterest LinkedIn Tumblr +
200 mijë bimë kanabis të asgjësuara, Proda bën bilancin e operacioneve antikanabis me Guardia di Finanza

Është përmbyllur edhe për vitin 2025 bashkëpunim i Policisë shqiptare me Guardia di Finanza sa i takon operacioneve për goditjen e kultivimit të kanabisit në të gjithë vendin. Në një konferencë për mediat, drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda tha se gjatë këtij 10 mujori janë asgjësuar më shumë se 200 mijë bimë narkotike ku janë evidentuar 580 raste kultivimi me afro 200 persona të implikuar.

“Gjatë 10-mujorit të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 894 bimë të evidentuara nga monitorimi ajror dhe 97 066 të evidentuara nga kontrollet e territorit, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kanë evidentuar 580 raste kultivimi me 191 shtetas të implikuar, nga të cilët 106 janë arrestuar, 36 janë ndaluar, 17 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 32 janë shpallur në kërkim”, tha Proda.

Gjysma e kanabisit të zbuluar i përket qarkut të Shkodrës. Referuar shifrave, Proda theksoi se për 2025-ën ka një ulje të kultivimit krahasuar me vitin e kaluar.

Advertisement

“Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara. Po t’i krahasojmë këto rezultate, me të njëjtën periudhë të vitit 2024, përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kemi ulje me 132 raste kultivimi, 58 317 bimë narkotike më pak dhe 71 873 fidanë më pak”, tha Proda.

Ndonëse kultivimi i kanabisit është në ulje, Proda shtoi se janë rritur procedimet penale, kjo falë zbulueshmërisë, ku ndër personat të proceduar janë edhe zyrtarë vendorë.

“Kemi rritje të procedimeve penale, me 7 autorë kultivimi më shumë dhe 60 punonjës të proceduar për shpërdorim detyre, më shumë. Përgjatë këtij viti u proceduan penalisht 163 shtetas për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit (kryetarë fshatrash, administratorë, punonjës të OSHEE-së, inspektorë të pyjeve etj.)”, tha kreu i Policisë së Shtetit.

Ndersa kreu i Guardi di Finanza tha se kultivuesit po përpiqen të gjejnë zona sa më vështira malore për aktivitetin e tyre.

Advertisement

“Nga analiza e të dhënave mund të themi se edhe këtë vit preferohen të mbillen zona më të vështira apo zona të cilat arrihen me shumë vështirësi nga ajri, të vendosura kryesisht në veri të Shqipërisë. Ka një ulje të vogël të bimëve të shkatërruara krahasuar me vitin e kaluar, duhet vënë theksi tek fakti se trafikantët kanë ndërmarrë një model tjetër bazuar në kultivimin në zona edhe më të vështira për t’u arritur apo për t’u identifikuar. Në vijim do të fokusohem tek zona veriore, qendrore dhe jugore e vendit”, tha Luigi Vinciguerra.

Gjatë këtyre muajve, policia ka kryer mbi 200 mijë kontrolle, ndërkohë në operacione janë përodrur helikopterë të Forcave të Armatosura si dhe dronë inteligjentë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy