
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri zhvilloi një vizitë zyrtare në Pogradec, ku u prit nga kryetari i bashkisë. Ai u shpreh i impresionuar nga qyteti, duke e cilësuar “të bukur dhe pjesë të rëndësishme të Shqipërisë”. Gjatë takimit me kreun e bashkisë, diplomatiku suedez tha se diskutuan mbi kapitujt e Bashkimit Europian dhe detyrat që bashkitë duhet të kryejnë në kuadër të procesit të integrimit.
“Suedia e mbështet Shqipërinë, qeverinë lokale dhe atë qendrore. Sot jemi të lumtur të tregojmë edhe një film suedez, sepse është e rëndësishme të rrisim njohjen e ndërsjellë,” deklaroi ai.
Ambasadori vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke e cilësuar “fantastik deri tani”.
Sipas tij, Suedia është e interesuar dhe e gatshme të mbështesë vendin tonë, por theksoi se “është në dorën e Shqipërisë të plotësojë dhe të kryejë reformat e duhura”. I pyetur nëse Shqipëria shihet si një “kalë troje” për standardet demokratike të BE-së, ambasadori u distancua nga kjo terminologji, duke theksuar se bashkëpunimi përqendrohet tek kapitujt e negociatave dhe përparimi konkret.
Ndërsa për ligjin e miratuar së fundmi mbi barazinë gjinore, ai nënvizoi se parlamenti shqiptar ka bërë hapin e vet dhe se “e rëndësishme është të besojmë në barazinë gjinore—një parim që edhe Suedia e promovon fort”.