
Më 13 nëntor, Policia e Shtetit arrestoi në Tiranë një 29-vjeçar, i dyshuar për shpërndarjen e pamjeve dhe videove pornografike, kryesisht me të mitur. Arrestimi u bë i mundur pas një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane, të cilat kishin nisur hetimet pas një sërë denoncimesh nga familjarë të të miturve në Gjermani.
Sipas raportimit të gazetarit të Vizion Plus, Esido Barkaj, në emisionin Live në Mëngjes, i riu kryente aktivitetin e tij nga një kompjuter në banesën e tij në Tiranë, ku gjatë kontrollit u gjetën materiale të shumta me përmbajtje të paligjshme. Autoritetet gjermane kanë lokalizuar gjurmët dixhitale të shpërndarjes së këtyre materialeve, duke çuar në identifikimin e autorit të dyshuar dhe më pas në informimin e Policisë së Shtetit.
Drejtoria e Krimeve Kibernetike në Shqipëri ka nisur menjëherë procedurat hetimore, të cilat kulmuan me arrestimin e 29-vjeçarit.
Ky nuk është rasti i vetëm i evidentuar këtë vit. Në shtator 2025, një 24-vjeçar në Lushnje u arrestua pasi akuzohej gjithashtu për shpërndarje të materialeve pornografike me të mitur.
/vizionplus.tv