
Kreu në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj, akuzoi nga Shkodra liderin historik të së djathtës, Sali Berisha, se synon të shkatërrojë Partinë Demokratike.
Gjatë një takimi në këtë qytet, Alibeaj theksoi se Berisha kërkon që t’i përdorë këto zgjedhje dhe demokratët si kërcënim ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
ENKELEJD ALIBEAJ
KRYETAR NE DETYRE, PD
Advertisement“Ai kërkon që të zhdukë PD dhe atë qe do të mbetet prej saj. Ta marrë e ta bashkojë me foltoristët që i shkojnë pas, të gënjyer qofshin këta apo të lidhur me interesa korruptive me Sali Berishën. Për ta përdorur atë si një bunker antiamerikan në Shqipëri, për tu thënë të nesërmen partnerëve tanë amerikanë dhe britanik të Shqipërisë se e djathta shqiptare është e gjitha në rresht pas tij.”
Sipas Alibeajt, Sali Berisha refuzoi ftesën për bashkëpunim, duke i regjistruar demokratët me Ilir Metën dhe logon e Partisë së Lirisë në zgjedhje.
“Ai i cili në vitin 2013 e kaloi pushtetin me duart e tij dhe me dashje nga demokratët dhe e çoi tek Edi Rama. Duke trafikuar sforcot, duke trafikuar kontributin, historikun, duke dhënë kosto vetëm demokratëve dhe duke ngritur në këtë piedestal në këtë mbretërim në kundërshtim me ligjin dhe me aspiratat e shqiptarëve, Edi Ramës. Atë po bën edhe sot, është e njëjta gjë. Nuk kanë kaluar shumë vite që ajo që po ndodh nuk është gjë tjetër veçse një trafikim. Një trafikim demokratësh nën siglën laramane të Ilir Metës.”
Alibeaj u ka bërë thirrje demokratëve të punojnë për fitoren e PD në 14 maj.
“Me rastin e zgjedhjeve të 14 Majit, me këtë mobilizim që do duhet ta shfrytëzojmë në maksimum unë ju ftoj që të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me besimin me angazhimin dhe përgjegjësinë e plote për misionin tonë. Kauza jonë euroatlantiste e mbështetur qartë dhe pa hezitim nga aleatët perëndimor vecse do të fitojë. Kjo është pak, por e sigurt.”
Sipas Alibeajt PD ka të gjithë mundësitë të fitojë në zgjedhjet e 2025.
“Ne jemi demokratë euroatlantik të Shqipërisë dhe do i qëndrojmë këtij sulmi. Sulm që na vjen nga pushteti dhe brenda shtëpisë sonë. Do t’i qëndrojmë këtij sulmi në Shkodër, në të gjithë Shqipërinë. Për ta bërë PD fituese në zgjedhjet e ardhshme dhe partinë e rotacionit të vitit 2025.”
Në Shkodër logoja e PD për herë të parë nuk ka kandidat për kryetar bashkie, por vetëm kandidatë për këshillin bashkiak.