
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se procesi i votimit në pesë bashkitë ku po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore ka nisur normalisht dhe pa problematika të theksuara. Ai bëri me dije se 81% e qendrave të votimit janë hapur në orën 07:00, ndërsa pjesa tjetër brenda orës 08:00 të mëngjesit. Celibashi theksoi se procesi po zhvillohet me qetësi, me pjesëmarrje të komisionerëve dhe operatorëve të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërsa nuk janë raportuar pengesa në përdorimin e tyre.
Ilirjan Celibashi: Procesi ka filluar normalisht, qendrat e votimit në masën 81% janë hapur në orën 07:00. Vetëm 19% e këtyre qendrave janë hapur ndërmjet orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve të QV janë të përbërë me 7 anëtarë, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë dhe 19% me 4 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të procesit të votimit kishte mungesë të kuroumit, pra kishte 3 anëtarë, por në komunikimet që patëm me përfaqësues të partive politike edhe në ato qendra ka filluar procesi i votimit. Nuk janë raportuar problematika të tjera në lidhje me fillimin e procesit të votimit në këto 5 bashki. Në të gjitha qendrat janë paraqitur operatorët e pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve. Identifikimi po kryehet në 100% të qendrave të votimit nëpërmejt këtyre pajisjeve. Nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 qendra votimi, por jemi duke marrë informacionin në rrugë alternative. Nuk kemi pasur asnjë problem me përdorimin e pajisjeve PEI. Sa i përket pjesëmarrjes, është 2.42% në total në të gjitha bashkitë.
Celibashi njoftoi se në bashkinë e Tepelenës procesi i numërimit do të zhvillohet edhe me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa të dhënat do të publikohen në kohë reale në faqen zyrtare të KQZ-së.
Ilirjan Celibashi: Në bashkinë e Tepelenës, në procesin e numërimit, krahas asaj çka parashikon kodi zgjedhor, do të aplikojmë numërimin e fletëve të votimit edhe me Inteligjencën Artificiale. Ky informacion do të jetë publik në kohë reale në faqen e KQZ.