
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka përshëndetur operacionin policor që goditi grupin e strukturuar kriminal dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme kokaine në Fier.
Çuçi e ka cilësuar këtë operacion si një punë shumë të mirë teksa ka përgëzuar Policinë e Shteit.
“Finalizimi me sukses i operacionit për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal në Fier, me 10 të arrestuar deri më tani dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të dyshuar si kokainë, është një tjetër punë e kryer shumë mirë nga Policia e Shtetit. Profesionalizëm dhe integritet prej momenteve të para kur nisën hetimet dhe deri në goditjen e fundit. Asnjë kompromis me krimin dhe kujtdo që bëhet palë me të. Frontalisht përballë atyre që shkelin ligjin e mbjellin pasiguri. Përgëzime Policisë së Shtetit dhe veçanërisht efektivëve që morën pjesë në këtë operacion.”– shkruan Ministri I Brendshëm.
Operacioni u finalizua ditën e djeshme me zbulimin e një laboratori kokainë në Frakull të Fierit.
Nga operacioni janë arrestuar deri më tani 10 persona, u sekuestrua rreth 430 kilogramë lëndë narkotike kokainë dhe 6 armë zjarri.