
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Gjithashtu në pranga kanë rënë dhe katër shtetas të cilët e ndihmuan të riun në kërkim që t’i fshihej Policisë.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, lokalizuan dhe kapën në Tiranë, në kuadër të operacionit “Operacionalja 71”, shtetasin Elvis Roshi, 32 vjeç, banues në Fier”, njofton Policia e Shtetit.
Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim. 32-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, 1 punonjës të IEVP Fier.
Gjatë operacionit, u kapën edhe shtetasit që shoqëronin 32-vjeçarin, Ermir Peqini, 33 vjeç, Dorian Cera, 34 vjeç, të dy banues në Tiranë, Arbit Nure, 29 vjeç dhe Fabjan Muçaj, 26 vjeç, të dy banues në Fier, të cilët u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./vizionplus.tv