
E diela e 2 nëntorit u shpall nga qeveria ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Homazhet për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit Fatos Nano do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kongreseve nga ora 8:30 deri në orën 11:00.
Ndërkohë që ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës do të jetwnë orën 12:05.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në mesditë do të ndërpritet çdo veprimtari dhe do të mbahet një minutë heshtje.
Fatos Nano ishte një prej figurave kryesore të politikës shqiptare. Ai ishte kryetari i parë i Partise Socialiste dhe politikani që reformoi këtë forcë politike duke e shkëputur nga trashëgimia e partisë së punes.
Nano ka shërbyer 4 herë si kryeministër. Në vitin 1993 ai u arrestua për korrupsion dhe qëndroi 4 vite në burg, dënim që u perceptua gjerësisht si dënim politik.
Fatos Nano humbi zgjedhjet e vitit 2005 dhe u largua nga drejtimi i Partisë Socialiste duke mbetur një prej figurave më të rëndësishme të së majtës dhe skenës politike shqiptare.