Goditet grupi që mashtronte shqiptarët përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Goditet grupi që mashtronte shqiptarët përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezë

Policia e Shtetit ka goditur një grup të huaj që mashtronte qytetarët shqiptarë  përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare.

Në kuadër të operacionit policor “Posta e Rreme” u vunë në pranga dy shtetas kinezë.

“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç”, njofton policia.

Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

Advertisement

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë veprat penal  “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit rikujton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe apelon:

Advertisement

Mos klikoni në lidhje (linke) të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve apo rrjeteve sociale;

Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN apo fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;

Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni çdo veprim online;

Në rast dyshimi, raportoni menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Advertisement

Gjithashtu, policia i bën thirrje qytetarëve të cilët i janë përgjigjur faqeve mashtruese dhe kanë vendosur të dhënat e veta personale apo bankare në faqet e falsifikuara të paraqiten sa më shpejt në Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë, ose të kontaktojë menjëherë për të raportuar rastin dhe për të marrë ndihmën e nevojshme.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy