
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ekzekutuar këtë të hënë, masat e sigurisë ndaj një ish-punonjësi të Gardës së Republikës dhe një personi tjetër.
Të dy të dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Pas një hetimi të plotë me metoda speciale, SPAK dhe AMP kanë zbuluar se dy të dyshuarit, në këmbim të shumës 20 mijë euro, i kishin premtuar një shtetaseje ndihmë për përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror.
Ish-oficer i Gardës së Republikës, me gradën Komisar, në kohën e kryerjes së veprës penale iu la masa “arrest në burg”, ndërsa të dyshuarit tjetër, masa “detyrim paraqitje”.
NJOFTIM:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas një hetimi të plotë me metoda speciale, sot në datë 03.11.2025 ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues ndaj një ish punonjësi të Gardës së Republikës dhe një shtetasi, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione pubike” në bashkëpunim, parashikuar në nenet 245/1 paragrafi 4 dhe neni 25 të Kodit Penal dhe konkretisht;
Masa e sigurisë “Arrest në burg” parashikuar në nenin 238 të Kodit të Pr. Penale ndaj Z. M., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Oficer pranë Gardës së Republikës me gradën Komisar.
Masa e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenin 234 të Kodit të Pr. Penale ndaj shtetasit K. D., banues në Tiranë, i shpallur në kërkim.
Gjatë veprimeve hetimore, proceduriale shteruese në drejtimin e SPAK u arrit të provohej se këta dy shtetas në role të ndryshme gjatë kryerjes së veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë Euro, i kanë premtuar një shtetaseje (kallëzueses) se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike në një institucion shtetëror.
Vijojnë veprimet hetimore për përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
/vizionplus.tv