
Erion Veliaj ka lënë ambientet e paraburgimit në Durrës dhe është nisur drejt Tiranës, ku pritet të jetë i pranishëm në seancën e Gjykatës Kushtetuese, e parashikuar të zhvillohet në orën 10:00.
Kjo gjykatë do të shqyrtojë padinë e Veliajt kundër vedimit për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe dekretit të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.
Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e këtij dekreti, në pritje të vendimit përfundimtar.
Veliaj ka kërkuar të jetë personalisht i pranishëm në seancën, e cila sipas njoftimit zyrtar do të jetë publike.
Për këtë qëllim, është marrë miratimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas autorizimit me shkrim të SPAK.
Gjykata Kushtetuese ka dërguar më herët shkresën përkatëse, duke mundësuar pjesëmarrjen e tij në seancën e së premtes.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash./vizionplus.tv
 
 
 
 
