
Disa ditë më parë, një trup i pajetë u gjet brenda një automjeti të djegur në Greqi, në një zonë të shkretuar në Skurta të Viotisë.
Mediat greke bëjnë me dije se viktima është identifikuar si 27-vjeçari Sulo Halili.
I riu ishte me origjinë nga Tepelena.
Autorët, sipas hetimeve paraprake, duket se kanë dashur të sigurohen që viktima të mos mbijetonte, pasi, sipas policies, ai ishte qëlluar me armë zjarri dhe i ishte vënë flaka ndërsa ishte i lidhur me pranga.
Dhuna dhe egërsia e krimit tregojnë ose një urrejtje personale të fortë ndaj viktimës, ose një vrasje me pagesë. Një nga pistat që po heton policia greke lidhet me përfshirjen e Halilit në vrasjen e Christos Gialia në vitin 2024.
Trupi u zbulua të premten e kaluar, kur një gjuetar hasi një makinë të djegur në një zonë të izoluar. Kur u afrua, pa se në sediljen e pasme ndodhej trupi i një burri, i djegur plotësisht dhe i lidhur me pranga.
Hetuesit e departamentit të Vrasjeve që mbërritën në vendngjarje konstatuan se krimi ishte kryer disa orë më parë.
27-vjeçari ishte zhdukur nga Halkida pasditen e 4 nëntorit. Telefoni i tij ishte i fikur, ndërsa makina e tij ishte gjetur e braktisur në Vilia të Atikës.
Hetuesit dyshojnë se ai ishte rrëmbyer dhe torturuar për t’i nxjerrë informacione përpara se të vritej.
Automjeti ku u gjet kufoma ishte vjedhur në Glyfada dhe kishte targa të falsifikuara që i përkisnin një makine të regjistruar në Katerini. Të gjitha të dhënat tregojnë se autorët kishin planifikuar me kujdes çdo detaj për të zhdukur gjurmët e tyre./vizionplus.tv