
Partia Demokratike ka mbledhur sot Kryesinë për të përcaktuar aksionin politik të opozitës kur nga beteja për zgjedhjet lokale na ndajnë rreth 7 muaj.
Kryesia pritet të miratojë procedurat që do të ndiqen për zhvillimin e primareve, proces në të cilin anëtarët e Partisë Demokratike do të përzgjedhin me votë kandidatët për 61 bashkitë e vendit.
Gjithashtu gjatë mbledhjes së Kryesisë pritet që të përcaktohet edhe data për zhvillimin e protestës kombëtare kundër qeverisë Rama.
Vendimet e Kryesisë do t’i kalojnë për miratim Këshillit Kombëtar i cili do të mblidhet në orën 17.00.
Zgjedhjet lokale janë prova e parë e rëndësishme e Sali Berishës si kryetar i Partisë Demokratike.
Me një Parti Demokratike të përçarë dhe i izoluar nga faktori ndërkombëtar, Berisha duket se do të zhvillojë në pranverë betejën më të vështirë politike.