
Për dy ditë, sot dhe nesër, Kuvendi do të zhvillojë një seancë parlamentare dyditore, ku në qendër të debateve do të jenë paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2026, dokumentet më të rëndësishme financiare të vitit.
Seanca do të shqyrtojë ndryshimet ligjore që shoqërojnë buxhetin dhe “paqen fiskale”, që përfshin faljen e detyrimeve të prapambetura për qindra biznese.
Pavarësisht rëndësisë së paketës, opozita ka kundërshtuar mënyrën e procedimit, duke deklaruar se dokumentet kanë mbërritur me vonesë dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për një analizë të thelluar.
Projektbuxheti i vitit 2026, me një vlerë prej 8.8 miliardë eurosh, shoqërohet nga tetë projektligje, të cilat kaluan në komisione me procedurë të përshpejtuar.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e miratimit të minimumit jetik, duke kujtuar se opozita e ka propozuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë disa legjislaturave.
Sipas saj, qeveria në vitin e trembëdhjetë të pushtetit nuk ka arritur të garantojë minimunim jetik për shqiptarët.
Tabaku: PD ka prezantuar kërkesa për mocion me debat në fusha të ndryshme. Minumumi jetik ka qenë një propozim ligjor i PD-së për disa legjislatura me radhë por edhe një kërkesë që ne e kemi sjellë sa herë është mitaruar buxheti. Qeveria shqiptare, në vitin e 13-të të saj nuk siguron dot një minumum jetik për shqiptarët.
Sot pensionistët janë shtresa më e varfër. Qeveria refuzon të ngrejë pensionet. Minimumi jetik është një kërkesë ligjore që ky parlament ka detyrimin ta miratojë. 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin. 55% kanë vështirësi ekonomike, 55% e familjeve janë nën këtë minimun jetik. Një çifti pensionistësh i duhen mbi 90 mijë lekë për të jetuar në qytetin e Tiranës. Një pension në fshat sot është 6 mijë lekë. Çfarë mund të bëjë një pensionist me 20 lekë më shumë në ditë? Si mundet një pensionist që të jetojë dhe të mbyllë muajin me 20 lekë në ditë? Ky parlament është mbledhur dhe ka miratuar shumë ligje të cilat kan qenë në dëm të qytetarëve.
Çfarë do të diskutohet sot
Ligjvënësit do të diskutojnë në parim të gjitha projektligjet që përbëjnë paketën fiskale: nga ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat, te shtesat në ligjin e taksave vendore dhe projektligji për faturimin dhe monitorimin e qarkullimit.
Në rend dite janë gjithashtu marrëveshja e paqes fiskale, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme dhe projektligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Në fund të seancave pritet të diskutohet edhe projektbuxheti 2026 në parim, çka pritet të ndezë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për prioritetet fiskale të vitit të ardhshëm.