
Shefi i Krimeve në Komisariatine Devollit, Pashk Syziu është pezulluar nga detyra.
Pezullimi i tij ka ardhur pas denoncimit në Agjensinë e Mbikqyrjes Policore nga Marsel Buçi.
Marsel Buçi pretendon se një natë më parë është dhunuar pa arsye nga shefi I krimeve pas një konflikti verbal me Deizi Arapin, një tjetër personazh kjo e njohur në Devoll.
Deizi Arapi dhe Marsel Buçi kanë midis tyre një konflikt më të hershëm dhe akuzojnë njëri tjetrin për djegien e automjeteve përkatëse.
Buçi ka folur për Vizion Plus, dhe shprehet:
Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin e cila më ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushta dhe shkelma. Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati.