
Rritja e pagave dhe pensioneve është prioriteti i qeverisë gjatë mandatit të katërt. Në serinë e re të Podcastit “FLASIM”, Kryeministri Edi Rama perseriti se nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të ketë më pagë nën 500 euro.
“Po ashtu, lajmi për pensionet është pasuar nga lajmi për rritjen e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo dhe e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha, e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale nga janari i vitit që po troket, kur paga minimale në sektorin publik dhe në atë privat, pra kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, tha Rama.
Të enjten u zhvillua dhe mbledhja e parë mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, ku një ndër marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve ishte ajo per emigracionin. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera” Rama u ndal tek çështja e cila shkaktkoi jo pak polemika, ajo e kampit të emigrantëve ne Gjader.
“Akuzat janë bërë pjesë integrale e jetës sonë, të cilat mbyten çdo ditë nga balta e pafundme e mediave sociale, ndërsa shpejtësia marramendëse me të cilën lëviz bota e informacionit e bën gjithnjë e më të vështirë të kuptohet e vërteta, pasi këmbët e gënjeshtrave janë bërë edhe më të shpejta në qarkullim nëpër botë. Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro në këtë projekt, kështu që të paktën në këtë rast nuk mund të akuzohemi si zakonisht”, shtoi kryeministri.
Pyetur nga Corriere lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe rolin e Italisë në këtë proces, shefi i ekzekutivit u shpreh i qartë se Roma zyrtare është lobuese e forte për Tiranen.
“Italia është avokatja tradicionale e Shqipërisë në BE. Është zëri ynë më i fortë në Bruksel. Vendi im nuk do të jetë kurrë në gjendje të shlyejë borxhin e madh moral të Italisë për gjithçka që ka bërë për ne. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë atë borxh”, tha Rama.
Të hënën pritet dhe hapja e grupkapitullit të fundit për Shqipërinë ai i “Bujqësisë, Kohezionit dhe Burimeve”, ndërsa qeveria është shprehur optimiste se brenda vitit 2027 të gjithë grupkapitujt do të mbyllen duke i hapur rrugë më pas anëtarësimit./vizionplus.tv