
Vijojnë kontrollet intensive në qytetin bregdetar nga Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Këto masa vijnë pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në qytet, me qëllim forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Sipas informacioneve zyrtare, uniformat blu kanë ngritur pika të shumta kontrolli në akset kryesore të qytetit, në hyrje-daljet e Vlorës, si dhe në zona të frekuentuara nga qytetarët dhe turistët.
Kontrollet janë përqendruar kryesisht te drejtuesit e mjeteve luksoze, personat me precedentë penalë, si dhe te individët që dyshohet se qarkullojnë me armë të ftohta ose nën efektin e alkoolit.
Policia po kryen gjithashtu verifikime për dokumentacionin e automjeteve, siguracionet, lejet e qarkullimit, si dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Në disa raste janë shoqëruar persona për verifikime të mëtejshme, ndërsa janë vendosur dhe masa administrative për shkelje të kodit rrugor.
Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bëjnë me dije se ky plan i zgjeruar operacional do të vijojë edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim me strukturat e tjera të rendit.
Qëllimi është parandalimi i ngjarjeve kriminale, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe rritja e ndjenjës së sigurisë tek qytetarët.
Policia e Vlorës u bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me strukturat e rendit, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të denoncojnë çdo rast të paligjshëm, ndersa mesohet se kontrolllet do të vijojnë./vizionplus.tv