
Projektligji për barazinë gjinore, i cili pritet të votohet seancën e kësaj të enjte në parlament, shkaktoi debate të forta mes shumicës dhe opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi mazhorancën, se kërkon të kalojnë një projektligj që cënon familjet dhe shoqërinë shqiptare.
“Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës”, tha Berisha.
Madje sulmet e tij kaluan më tej, duke akuzuar ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
“Qytetarë dhe qytetarë sillet në emër të direktivave të BE, ekspertë të shquar, kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë tu thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016”, tha kreu i PD.
Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të Partisë socialiste, Taulant Balla i cili shpjegoi se ky ligj është hartuar për të zhdukur diskriminimin.
“Politizimi i kësaj çështje nuk ka të bëjë me këtë ligj. Në ligj thuhet qartë, Në Shqipëri nuk do të ketë më gra që do të paguhen më pak se burrat se janë gra. Gratë dhe burrat do të paguhen të gjithë njësoj. Është qëndrimi i kësaj partie që sot në parlament kemi më shumë gra dhe vajza që nga viti 1920. Angazhimi ynë është që një ditë këtu të kemi 70 burra dhe 70 gra. Ai që del sot këtu është kundër barazisë gjinore”, tha Balla.
Nuk pranoi as sulmet e Berishës ndaj diplomatit të unionit.
“E dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE në Shqipëri. Ky sulm i përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh kundër ambasadorëve të SHBA-ve, kundër ambasadorëve të vendete të tjera, kundër ambasadorit të BE-së. Bie ndesh me parimet e Konventës të Vjenës dhe interesat e Shqipërisë. BE është partneri ynë më i rëndësishëm dhe vendi do të jetë anëtarë brenda 2030”, tha Balla.
Më herët, projekligji për barazinë gjinore shkaktoi debate dhe në komisionet parlamentare, të cilat e kaluan vetëm me votat e mazhorancës.