Reshjet shkaktojnë përmbytje, uji vërshon në banesa, vështirësohet qarkullimi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Reshjet shkaktojnë përmbytje, uji vërshon në banesa, vështirësohet qarkullimi

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane. Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.

Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Ndërkohë, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq.

Në digat e Fani­t dhe Ulzës prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve nuk është arritur niveli kritik që kërkon hapjen e portave.

Advertisement

Në zonën e Kurbinit gjithashtu  kanë filluar problemet e para. Prurjet në lumin Droje kanë arritur në nivelin thuajse kritik, në disa rrugë të fshatrave prania e ujit ka bllokuar levizjen e banorëve.

Në aksin e rrugës Skuraj – Burrel rënia e gurëve në rrugë dhe shkarjet e dherave nga malet, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në këtë zonë punohet nga punonjësit e mirëmbajtjes për largmin e inerteve.

Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur prej mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar probleme të shumta edhe në Qarkun Dibër.

Më e prekur nga shtrëngatat e shiut ishte bashkia e Matit, ku pati probleme me rrugët rurale dhe përmbytje të banesave.

Advertisement

Ndërkohë erërat e fuqishme që kanë mbërthyer Vlorën kanë rrëzuar drurët pyjorë në Pyllin e Sodës, ndërsa një pemë shumëvjeçare në zonën pranë rrugës kryesore, ka krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet.

Në Pyllin e Sodës, disa pisha janë rrëzuar nga era duke bllokuar segmentin që të çon  në fshatin Zvërnec, ndërsa qarkullimi është vështirësuar deri në ndërhyrjen e strukturave bashkiake.

Pavarësisht erërave të forta dhe dëmtimeve në infrastrukturën e gjelbër, situata nga përmbytjet deri tani paraqitet e qetë e nuk janë regjistruar  problematika.

Për shkak të erës së fortë rreth orës 05:00 të mëngjesit ka patur ndërprerje të energjisë elektrike  ne disa zona rurale si, nënstacioni i Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë në bashkinë e Fierit. Grupet e punës janë në terren për të bërë të mundur rikthimin e energjisë.

Advertisement

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy