
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi se rezultatet e zgjedhjeve në pesë bashkitë ku po zhvillohen zgjedhje vendore priten të shpallen në mesditën e nesërme.
Sa i përket numërimit të fletëve të votimit në Tepelenë me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, Celibashi sqaroi se si do të zhvillohet procesi.
Ai shpjegoi se në çdo tavolinë numërimi janë të instaluara kamera që regjistrojnë gjithë procesin, ndërsa një program kompjuterik i bazuar në Inteligjencë Artificiale do të lexojë automatikisht votat, duke e transmetuar informacionin në kohë reale në KQZ, pa pritur tabulimin manual nga anëtarët e grupit të numërimit.
Celibashi: Dreka e ditës së nesërme do jetë përfundimi i procesit të numërimit në të 5 bashkitë. Qartazi varet nga pjesëmarrja, por nëse pjesëmarrja do jetë ajo e vitit 2023, me shumë mundësi do ta përfundojmë ne mesin e ditës së hënë. Në çdo tavolinë numërimi ka të instaluara kamera që regjistrojnë gjithë procesin e numërimit të fletëve të votimit. Fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen. Ajo çfarë kemi bërë ne dhe ku e përdorim Inteligjencën Artificiale është që të gjitha këto filmime, nëpërmejt një programi kompjuterik që bazohet në Inteligjencën Artificiale do të bëjë leximin automatik, sistemi, kamera, të fletës së votimit. Pra do ta kuptojë ky sistem duke përdorur inteligjencën artificiale se për kë është votuar. Rezultati vjen në KQZ, pa pritur që të bëhet tabulimi i rezultatit nga anëtarët e grupit të numërimit, pra çdo fletë votimi vjen dhe transmetohet leximi i fletës së votimit në KQZ./vizionplus.tv