
Për përplasjet brenda Partisë Demokratike se kush është kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi apo Lulzim Basha reagoi edhe ambasada amerikane në Tiranë.
Në qëndrimin e saj SHBA-të deklarojnë se funksionimi demokratik i institucioneve është thelbësor për demokracinë po aq edhe opozita si pjesë e bërjes së ligjeve dhe reformave të rëndësishme.
AMBASADA E SHBA NE TIRANE
Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi.
Në reagimin e saj, SHBA i tërheq vëmendjen aktorëve politikë për të bërë kujdes kur bëhet fjalë për bashkëpunime me të shpallurin non grata, Sali Berisha.
AMBASADA E SHBA NE TIRANE
Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur non-grata në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.
Të njëjtin qëndrim ka edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë për rolin e opozitës në proceset vendimarrëse siç është ai për Avokatin e Popullit por refuzon të përfshihet në punët e brendshme të partive politike, cilado qoftë ajo.
DELEGACIONI I BE NE TIRANE
Delegacioni i BE-së nuk komenton dhe nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive politike. Në rastin konkret, Delegacioni i BE-së nuk ka diskutuar me anëtarët e opozitës për çështjen e papërfunduar të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nga parlamenti. Delegacioni i BE-së mbështet plotësisht çdo përpjekje të ndërmarrë për finalizimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, një tjetër hap i rëndësishëm për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE.
Advertisement
Që me nisjen e sesionit të ri parlamentar debati se kujt i takon kryesimi i grupit të deputetëve demokratë është zhvendosur edhe në sallën e parlamentit.
Kuvendi ende nuk është shprehur zyrtarisht për kërkesen e kryetarit të rizgjedhur të PD-së, Lulzim Basha që pasi shkarkoi Gazmend Bardhin, detyrën ia delegoi Flutura Açkës. Nga ana tjetër 27 deputetë të PD-së i bëjnë me dije kuvendit se zgjedhin Gazmend Bardhin si kryetar të tyre.