
Policia e Lezhës vijon kontrollet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i një operacioni të zhvilluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, është arrestuar 29-vjeçari, Anton Toli që shpërndante lëndë narkotike.
Gjatë kontrolleve në aksin rrugor “Kallmet – Ungrej”, efektivët i bënë shenjë ndalimi automjetit tip “Nissan”, me drejtues Tolin.
Nga kontrolli në automjet, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se ishte e destinuar për shitje.
Sipas njoftimit zyrtar, u sekuestruan lënda narkotike, automjeti “Nissan” dhe 2 aparate celulare.
NJOFTIMI:
Në vijim të punës informative dhe operacionale, të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Kallmet – Ungrej”, automjetit tip “Nissan”, me drejtues shtetasin A. T..
Nga kontrolli, u gjet në automjet, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila posedohej me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv