
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi që të njihet zyrtarisht me procesverbalin e policisë për njohjen e masës së sigurisë të vendosur ndaj tij, Gjykata e Posaçme e ka thirrur këtë të martë për të dëshmuar dhe për ta marrë në pyetje në lidhje me aferën e dyshuar korruptive për privatizimin e kompleksin sportiv Partizani.
Gjykata e Posaçme pritet që të zhvillojë seancën në orën 14:00, por ende nuk dihet nëse Sali Berisha do të paraqitet.
Më heret ndaj Berishës togat e zeza vendosën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe i bllokuan pasaportën që mos të dalë jashtë vendit.
Por për ish-kreun e qeverisë ky veprim është antikushtetues. Sipas avokatit të Berishës SPAK ka anashkaluar Parlamentin, institucion që duhet të japë lejen për çfarëdolloj mase të vendosur ndaj një deputeti.
Një mundësi që mund të shfrytëzohet nga pala mbrojtëse është Apeli i Posaçëm te cilit mund t’i drejtohen për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë.
Një ditë më parë Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në burg dhëndrin e Berishës Jamarbër Malltezi si dhe ne detyrim paraqitje ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Referuar dosjes së SPAK Malltezi dhe Bektashi akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash e ndërsa Berisha akuzohet vetëm për korrupsion pasiv.
Sipas hetimeve, Malltezi duke shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij si kryeministër ka përfituar nga privatizimi i terreneve sportive dhe e ka kthyer në zonë banimi. SPAK shprehet se Jamarbër Malltezit ka përfituar mbi 5 milionë euro e njëkohësisht ka fshehur origjinën, duke e ligjëruar këtë shumë, në një kohë kur nuk ka investuar para.
Nëse provohen akuzat e ngritura nga prokuroria në gjykatë, Malltezi rrezikon deri në 15 vite burg.
Gjykata e Posaçme vendosi edhe sekuestrimin e 25 pronave të Malltezit ku përfshihen llogari të shumta bankare, disa apartamente, vila si dhe prona të tjera.