
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 5 vite burg për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i dyshuar si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës.
Çështja ndaj tij u kthye për rigjykim në korrik, dhe SPAK kërkon që Bllako të dënohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në dy episode.
Nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, dënimi përfundimtar pas gjykimit të shkurtuar do të jetë 3 vite e 4 muaj burg, ndërsa për 5 vite ai nuk do të ketë të drejtë të mbajë asnjë funksion publik.
Avokati mbrojtës Ilir Mustafai theksoi se Bllako nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në vendimmarrjen për inceneratorin e Tiranës dhe se detyra e tij ka qenë thjesht formale dhe administrative. Ai shtoi se Bllako, për shkak të detyrës së tij, ka përcjellë vetëm tre shkresa zyrtare dhe nuk ka pasur fuqi të ndërhyjë apo të vendosë për projektin.
“Në procedurën e inceneratorit të Tiranës, deri kur është krijuar ideja dhe është bërë kontrata, janë bërë 15 mbledhje dhe 16 procesverbale. Autori kontraktues është ministri dhe anëtarët koncesionit. Janë dy anëtarë të ministrisë së mjedisit, bashkisë e tjerë, Bllako në asnjë rast nuk është emri i tij i përfshirë. Bllako për efekt të punës ka përcjell 3 shkresa. Vendimmarrje me të rëndësishme kanë filluar pas mbledhjes së 11. Vë në dijeni gjykatën se pas mbledhjes 11 e mbrapa nuk ka qenë pjesë e ministrisë, por në Presidencë. Alqi Bllako është si kancelari i gjykatës që merr vendimet dhe ja çon palëve, por kancelari nuk ka përgjegjësi mbi vendimin e gjykatës. Alqi Bllako nuk ka pasur rol vendimmarrës te inceneratori i Tiranës”, tha mbrojtja e Bllakos.
Ndërsa Alqi Bllako kërkoi të shpallet i pafajshëm.
Alqi Bllako: Kërkoj të shpallem i pafajshëm. I kërkoj gjykatës të mbajë parasysh edhe gjendjen time familjare, sidomos të njërit prej fëmijëve, pasi mungesa ime po rëndon gjendjen e tij. Në vendimin e arsyetuar nuk gjenden veprimet e ligjshme apo të paligjshme që unë kam bërë si sekretar i përgjithshëm. Sekretari i përgjithshëm ka zero rol në përcaktimin e kontratës së koncensionit. Akuza e korrupsioni pasivt është ngritur ndaj meje pa u berë asnje analize. Klodian Zoto ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë me anëtarët dhe kryetarët e Komisionit.
Kur është kryer vlerësimi i ofertave, shpallja dhe fituesi i koncensionit unë nuk kam qenë fare në detyrë si sekretar i përgjithshëm.
Sa i takon punësimit të zotit Bezhani pranë kompanisë së Klodian Zotos, në nëntor kur filloi punë nuk ishte lidhur kontratë me inceneratorin e Elbasanit dhe as kontratë me inceneratorin e Fierit. Mua me zotin Bezhani nuk më lidh asgjë dhe kur kam filluar punë në këtë ministri unë e kam gjetur aty.
Më 11 mars, Gjykata e dënoi Bllakon me 4 vite burg, që pas shkurtimit u reduktua në 2 vite e 8 muaj, por Apeli rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rigjykim me një trupë tjetër gjykuese.
Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë euro nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e vërtetë të inceneratorit.
Bllako është dënuar më parë me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa dosja për inceneratorin e Fierit është rikthyer për rigjykim nga Apeli i GJKKO-së./vizionplus.tv