
Operatorët turistikë kërkojnë nga ministri i ri i Turizmit, Blendi Gonxhe të rishikojë rregullat për menaxhimin e plazheve.
“Çdo 1 mijë metër vijë bregdetare, 300 metra të jetë publike, por bashkia duhet të ketë kujds sepse duke ndjekur këtë rregull, ato 300 metra mund të jenë përballë një hoteli të madh që ka investuar dhe e ka në kontratë plazhin para hotelit. Duhet bërë një plan që të shikohet kjo përparësi. Edhe propozimi 1 dhomë, 1 çadër nuk është i duhur. Në kontrata ne e kemi 1 me 2.5, varet nga dhoma e hotelit. Në një dhomë mund të ketë 3 veta dhje sipas kësaj logjikës, 2 persona mund të kenë çadër, ndërsa 1 të jetë në këmbë ose në rërë. Ne propozojmë raportin 1 me 1.5.”, tha Rrahman Kasa.
Sektori i turizmit, sipas Unionit Turistik Shqiptar, ka nevojë për rreth 30 mijë punonjës. Për plotësimin e nevojave, kërkohen procedura më të thjeshtuara për ata që vijnë nga jashtë, me qëllim që gjatë sezonit bizneset të mos përballen me mungesa.
“Kërkesat janë për dy kategori. Njëra është për kërkesa për pozicione si sanitare, kamarierë, ndihmës. Tjetra është për staf profesional. Për të dyja ka shumë nevojë sektori. Ne po synojmë që stafin e thjeshtë ta sigurojmë nga jashtë, por hasim vështirësi nga ana tjetër për stafin profesional sepse ai është mirë të jetë shqiptar. Kërkojmë të shkurtohen afatet dhe procedurat përsa i përket pajisjes me leje qëndrimi të punonjësve të huaj dhe e dyta të ngrihet një Akademi Turizmi, që të ketë degët që kërkohen sot në treg dhe me kurrikulat që i përshtaten tregut.”, shtoi ai.
Një kërkesë e përsëritur e operatorëve është edhe që punonjësit në bizneset turistike të jenë gjithëvjetorë, me kushtin që qeveria të paguajë një pagë minimale për ta për muajt jashtë sezonit veror./vizionplus.tv
 
 
 
 
