
Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal që trafikonte në Shqipëri vepra arti të vjedhura në shtetet e Europës.
Dy pjesëtarë të grupit janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia njofton zyrtarisht se në kuadër të operacionit “Muzeu i errët”, ka vënë në pranga shtetasit A. H., 20 vjeç dhe I. Gj, 30 vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim shtetasin J. H., 42 vjeç, të tre banues në Kamzë.
Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit, të organizuar si grup, trafikonin në Shqipëri, objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës. Objektet, të cilat siguroheshin kryesisht nga shtetasi i arrestuar I. Gj., trafikoheshin me qëllim shitjen në vendin tonë, në kundërshtim me ligjin.
Nga kontrolli në banesën e shtetasve A. H. dhe J. H. (babë e bir), në Kamzë, u gjetën:
-31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme;
-3 skulptura në formë dhëmbi elefanti;
-6 piktura të autorëve të huaj;
-411 albume me pulla poste të shteteve të ndryshme të botës;
-një procesverbal origjinal francez, i vitit 1925;
-objekte të tjera me vlera artistike dhe historike (një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative).
Së bashku me veprat, u sekuestruan 2 automjete që dyshohet se janë përdorur për transportimin e veprave, si dhe 2 celularë.
Punohet për kapjen e shtetasit J. H., si dhe vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
 
 
 
 
