
Konflikti për një vend parkimi, ishte shkaku i ekzekutimit me kallashnikov të 33-vjeçarit Valter Fjerza nga fqinji i tij, mbrëmjen e djeshme ne fshatin Hot i ri të Shkodrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 , ku fillimisht vëllai i viktimës Kolë Fjerza dhe autori Klodian Mhilli bashkë me 4 persona të tjerë, kanë debatuar për parkimin e një automjeti.
Debati nisi në një lokal afër banesave të tyre, me pretendimin e bllokimit të rrugës për shkak të parkimit të makinës .
Pak pas këtij debati, drejt vendit të ngjarjes është afruar me automjet Valter Fjerza.
Në këtë moment, sapo ka parë makinën, 24-vjeçari Klodian Mhilli ka qëlluar disa herë me kallashnikov, në drejtim të 33-vjeçarit, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Pas ngjarjes , autori i vrasjes dhe 4 të tjerët që e shoqëronin atë : Aleksander Mhilli, Paulo Mhilli, Luçiano Mhilli dhe Enton Dushaj, janë larguar me shpejtësi.
Arratia për njërin prej tyre zgjati vetëm disa orë, 22 vjecari Paolo Mhilli ra në pranga paraditen e sotme pas rikthimit në shtëpinë e tij , ndërkohë që vijon kërkimi për 4 të tjerët.
Në vendin e ngjarjes u gjet një pistoletë që dyshohet të jetë e 24-vjeçarit Klodian Mhilli dhe 3 gëzhoja.