
Në Bashkinë e Beratit ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Deri më tani, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme, ndërsa qytetarët beratas po i drejtohen qendrave të votimit në qytet dhe në zonat rurale për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.
Sipas të dhënave zyrtare, në total janë 79,323 zgjedhës në listë, prej të cilëve 52,808 në qytet dhe 26,515 në zonat rurale. Për këtë proces janë hapur 116 qendra votimi, nga të cilat 72 në qytet dhe 44 në fshatra.
Në Berat janë ngritur dy KZAZ:
- KZAZ nr. 66, e vendosur në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, ku do të numërohen votat e qytetit (72 kuti);
- KZAZ nr. 67, e vendosur në Bibliotekën “Vexhi Buharaja”, ku do të numërohen votat e zonave rurale (44 kuti).
Në garë për drejtimin e Bashkisë së Beratit janë dy kandidatë:
- Ervin Ceca, kandidat i Partisë Socialiste, aktualisht kryetar i komanduar i bashkisë, i diplomuar në Ekonomi Ndërkombëtare;
- Pavllo Shkarpa, kandidat i pavarur, i diplomuar në Inxhinieri.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka konfirmuar se janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me forca policore të shpërndara në të gjitha qendrat e votimit dhe më pas në KZAZ-të ku do të zhvillohet numërimi i votave./vizionplus.tv