
Interi ka dalë me tre pikë në mbrëmjen e sotme nga “San Siro”, përballë Kairat Almaty në Champions League.
Ndeshja, e transmetuar ekskluzivisht në “Vizion Plus”, prodhoi jo pak emocione. Pavarësisht një kundërshtari të lehtë në letër, Almaty nuk rezultoi i tillë në fushë, duke i hapur jo pak probleme zikaltërve me kundërsulme të shpejta dhe mjaft të rrezikshme.
Ishin zikaltërit ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e fundit të pjesës së parë, me anë të kapitenit Lautaro Martinez.
Ndërkohë, 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, miqtë barazuan në 1-1 me anë të Arad, ky është edhe goli i parë që Interi pëson këtë sezon në Champions League.
Por kur u duk se Interi do të haste edhe më shumë vështirësi, Carlos Augusto realizoi një supergol nga jashtë zonës, duke rikthyer avantazhin dhe qetësinë te zikaltërit.
Kairat Almaty, pas pësimit të golit të dytë, rriti presingun, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Ndërkohë, sfida mes Club Bruges dhe Barcelonës u mbyll në një barazim spektakolar 3-3, ndërsa Manchester City shkatërroi me rezultatin 4-1 Dortmundin.
Në sfidat e tjera, Atalanta fitoi 1-0 në transfertë përballë Marsejës, ndërsa një tjetër rezultat zhgënjyes pati edhe Chelsea, e cila barazoi 2-2 me Qarabagun.