
Peshëngritësja e talentuar e KSHS Teuta, Enkileda Carja, është shpallur kampione e trefishtë e Europës në Kampionatin Europian për të Rinj dhe U23, që po zhvillohet në Durrës.
Carja dha një paraqitje spektakolare, duke thyer tre rekorde europiane në kategorinë Youth (63 kg) dhe madje edhe një rekord bote në shkëputje për Youth.
Për këtë sukses të jashtëzakonshëm të sportistes Carja, ka reaguar edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.
“Urime të përzemërta peshëngritëses sonë të jashtëzakonshme, Enkileda Carja, që shkëlqeu në Kampionatin Europian për të Rinj & U23 që po zhvillohet në Durrës, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës!
Me një performancë fantastike, Enkileda theu 3 rekorde europiane dhe madje edhe 1 rekord bote, duke treguar forcë, vendosmëri dhe përkushtim shembullor”, shkruan Sako.
Carja i realizoi me sukses të gjashta provat, duke ngritur 98 kg në shkëputje, 118 kg në shtytje dhe 216 kg në dygarësh, duke shfaqur një performancë të shkëlqyer dhe plot vetëbesim.
Ky është një sukses i madh për talenten e Teutës, por edhe për trajneren e saj të palodhur, Eglantina Kalemi.