
Historike! Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj, ka arritur të kualifikohet në fazën Play Off të Kupës së Botës, pasi mposhti 1-0 Andorrën në transfertë, duke marrë tre pikë të arta.
Ajo që dukej thuajse e pamundur, tashmë është bërë realitet. Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në Grupin K, kur i ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur, përballë Anglisë të dielën, por pavarësisht rezultatit, kuqezinjtë tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në ndeshjet e Play Off, pasi Serbia është 4 pikë larg pas humbjes së sotme (Angli-Serbi 2-0)
Kuqezinjtë e Silvinjos kanë arritur të fitojnë një ndeshje të vështirë në fushën e Andorrës.
Një aksion model i kuqezinjve në minutën e 67-të mes Asllanit, Uzunit, dhe sërish topi te Asllani, i cili me një goditje të saktë bën që ëndrra të kthehet në realitet.
Shqipëria tashmë do të luajë të dielën për të kërkuar një tjetër 3 pikësh përballë Anglisë, me shpresën për t’u renditur mes vendeve të dyta më të mira, në mënyrë që ndeshjen e parë ta luajë në Shqipëri, duke rritur kështu shanset për një tjetër sfidë historike në Play Off, e pse jo, për të ëndërruar “të pamundurën”, pjesëmarrjen në Kupën e Botës.