
U mbyll në një barazim piroteknik 3 me 3 dueli i fundit i javës së 37 të kampionatit Italian mes Bolonjës dhe Juventusit. Dueli direkt për vendin e tretë nuk pati fitues e në këtë mënyrë të dyja skuadrat mbeten në kuotën e 68 pikëve, çka do të thotë se vendi i tretë do të ndahet në duelet e fundjavës që presim, fundjavë e cila mbyll këtë sezon të kampionatit Italian.
Bolonja e pjesës dërrmuese të ndeshjes ishte fantastike, ashtu sikurse i gjithë sezoni që ka zhvilluar skuadra kuqeblu, me ekip agresiv , me shpejtësi të admirueshme në manovrën sulmuese dhe mbi të gjitha me një qarkullim mbresëlënës të topit në të gjitha sektorët e fushës.
Vendasit u gjendën në avantazh të dyfishtë në 11 minutat e para të takimit falë golave të Kalafiorit dhe Kastros. Juventus i shastisur nga golat e shpejtë të pësuar, nuk e mori kurrë veten, madje në ndonjë rast edhe duke rrezikuar të merrte golin e tretë. Gol të cilin do ta pësonte në nisje të pjesës së dytë, pas gafës së radhës në prapavijë. Të dehur nga golat e shënuar, vendasit ulën disi ritmin, zëvendësuan disa titullarë dhe kjo e ndihmoi Juventusin të ringrihej. Falë një gafe të Lukumit, ishte Kieza që shënoi golin e parë në minutën e 76.
Pastaj do të vinte një supergol i Milik nga goditja e dënimit që ndezi shpresat e bardhezinjve për të mos dalë pa pikë nga kjo transfertë. E në fakt ekuilibrat do të vendoseshin në minutën e 85 kur talenti turk Kenan Illdiz shënoi golin e tretë për Juvetusin, skuadër cila shmangu turpërimin . Bolonja përkundër zhgënjimit nga rezultati festoi gjatë pas ndeshjes sezonin e jashtëzakonshëm që kulmoi me kualifikimin në Champions pas 6 dekadash. /vizionplus.tv