
Në rrugicat e Strugës, në oborret e shkollave, në rrjete sociale dhe madje në kafene, po zhvillohet një dramë që pak duan ta pranojnë, dhe më pak ende kanë guximin ta luftojnë ku të rinjtë tanë, madje minorenë, po përhapen gjithnjë e më shumë në rrjetën e drogës.
“Po na i helmojnë fëmijët tanë,” – shprehet një qytetare e moshuar nga Struga.
“Po flasim për fëmijë 15,16 apo 17 vjeç, të cilët nuk dinë ende të përballojnë presionin e jetës, por tashmë janë të futur në një realitet ku marihuana, pilulat, e madje edhe kokaina, janë bërë pjesë e zakonshme e përditshmërisë.
Unë kam dy fëmijë në shkollë. Kam frikë se çfarë i pret më pas,” – thotë një prind nga lagja “Marks Engels.
“Nuk është më e pazakontë që dikush në klasën e tetë a të nêntë të dijë më shumë për llojet e drogës sesa për librin e historisë.Shumë nxënës po flasin për hashash e jo për mësim. Kjo është tragjedi,” – shprehet një arsimtare që kërkon të mbetet anonime.
“Ku janë prindërit? Ku është shteti? Po policia? Ky fenomen nuk është ndonjë “gabim i rinisë”, është pasojë e një dështimi zinxhiror institucional dhe shoqëror.
“E kemi paralajmëruar këtë që para pesë vitesh, por askush nuk na dëgjoi,” thotë një qytetar që jeton pranë një shkolle të mesme duke shtuar se faji nuk bie vetëm mbi të rinjtë por faji është i një sistemi të kalbur,përfundon qytetari.
“Prindërit janë të rraskapitur, të hutuar ose në shumë raste të painformuar.
Shumë prindër janë të frikësuar të pranojnë se fëmijët e tyre kanë probleme me drogën”– thotë një punonjëse sociale lokale.
“Po shteti? I zhdukur, përveç kur vjen puna për statistika apo “fushata vetëdijësimi” që nuk prekin asnjë rrënjë të problemit.
Na lodhën me fjalë boshe. Ne duam veprim, jo broshura,” thotë një i ri nga Radozhda.
“Dilerët në Strugë që vijnê nga qytete tê ndryshme nuk janë fantazma, janë djem me makina të shtrenjta që askush nuk i ndal
Dilerët janë aty – në qendër, në lagje, në fshatra.
Shesin përpara shkollës dhe nuk i prek askush. Si është e mundur kjo?” – pyet një qytetar nga Mislleshova.
“Ata veprojnë hapur, sepse e dinë që askush nuk i prek. Pse? A janë të mbrojtur? A janë pjesë e ndonjë strukture më të madhe?
Janë të lidhur me njerëz të fuqishëm, prandaj nuk arrestohen,” – thotë një burrë i moshuar, tashmë në pension.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)