Dëshmi e rrallë:Zgjedhjet lokale ne Strugë -2009 një fitore e diktuar nga sakrifica kombëtare

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Autor Skender Sopjani:Zgjedhjet Lokale në Strugë 2009: Një Fitore e Diktuar nga Sakrifica Kombëtare

Zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Strugë shënojnë një ndër kapitujt më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e atëhershme. Përtej përmasës së tyre komunale, ato zgjedhje bartnin një peshë të thellë kombëtare, sepse Struga ishte shndërruar në arenën ku përplasej vullneti i shqiptarëve për të ruajtur hapësirën e tyre politike e kulturore, përballë projekteve të qarqeve maqedonase që synonin ta mbanin qytetin nën kontroll.

Kandidati maqedonas Fiat Canovski u shfaq si figurë e përkrahur nga strukturat shtetërore për të çuar përpara këtë mision. Fitorja e tij do të kishte nënkuptuar jo vetëm humbjen e një komune, por edhe nënshtrimin simbolik të shqiptarëve në Strugë. Mirëpo, përballë këtij rreziku ndodhi një zhvillim i rrallë: bashkimi i faktorëve politikë shqiptarë, të cilët deri atëherë ishin të përçarë e të fragmentuar.

Ky unifikim nuk erdhi nga vullneti i partive politike, por nga presioni dhe autoriteti moral i disa burrave atdhetarë, kryesisht nga Kosova, të cilët me idealizmin e tyre arritën ta vënë mbi interesat partiake interesin kombëtar. Ishin pikërisht ata që e detyruan politikën shqiptare në Strugë të dalë me një kandidat të përbashkët dhe t’u pamundësonin maqedonasve marrjen e qytetit.

Advertisement

Emra si Ramadan Qyra, Demë Shehu, Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Skender Sopjani, së bashku me atdhetarët e Strugës dhe viseve të tjera si Shukri Limani, Bardhyl Nasufi, Ylber Sela, Fatmir Limani, Zulfi Adili – Qufa e shumë të tjerë, mbetën në kujtesë si arkitektët e fitores shqiptare në Strugë. Ata u akuzuan asokohe nga kundërshtarët se po “shqiptarizonin” Strugën – një akuzë që në fakt shpaloste frikën e kundërshtarëve nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve.

E megjithatë, historia ka një anë të hidhur: sakrifica e këtyre burrave nuk u njoh kurrë nga politika. Disa prej tyre ranë heroikisht në betejën e 9-10 majit në Kumanovë, disa të tjerë sot vuajnë dënime të rënda me burg, ndërsa ata që përfituan nga fitorja politike në Strugë u shndërruan në milionerë, duke harruar idealistët që u bënë garanci e asaj fitoreje. As Ramis Merko, as BDI-ja nuk shfaqën kurrë kujdesin minimal për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, as nuk e pranuan publikisht borxhin moral që u kanë këtyre luftëtarëve të lirisë.

Prandaj, është e drejtë të thuhet se pa kontributin e çlirimtarëve – Ramadan Qyra, Demë Shehu, Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Skender Sopjani, Shukri Limani, Bardhyl Nasufi, Ylber Sela, Fatmir Limani, Zulfi Adili – Qufa dhe shokëve të tyre – shqiptarët nuk do ta kishin fituar Strugën në vitin 2009.

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy