
Kohë të vështira nga njerëz hipokritë
Shoqëria jonë përballet çdo ditë me dukuri që dëmtojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shkatërrojnë besimin mes njerëzve. Dy prej tyre janë përgojimi (gibeti)dhe hipokrizia/dyfytyrësia – kur dikush të lavdëron në sy, por të përbuz prapa krahëve.
Islami i ka dënuar ashpër këto sjellje, duke i quajtur jo vetëm mëkate, por edhe shenja të zemrës së sëmurë.
Allahu thotë në Kuran:
“Mos përgojoni njëri-tjetrin! A dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Ju do ta urrenit atë!”
(Surah Huxhurat, 49:12)
-Përgojimi është të flasësh për dikë diçka që ai nuk do të donte ta dëgjonte, edhe nëse është e vërtetë. Nëse nuk është e vërtetë, ajo quhet shpifje – një mëkat edhe më i rëndë.
Muhamedi a.s.ka thënë:
“Më i keqi nga njerëzit është ai që ka dy fytyra – ai që vjen me një fytyrë tek një grup dhe me tjetër tek një tjetër.”
(Bukhari dhe Muslim)
-Lavdërimi në sy dhe sharja pas krahëve është formë hipokrizie morale, që krijon klimë mosbesimi dhe i bën njerëzit të dyshojnë tek njëri-tjetri. Kjo shkatërron edhe lidhjet më të forta familjare, shoqërore dhe shpirtërore.
Cilat janë pasojat?
Prishin imazhin e dikujt që nuk është i pranishëm,shkaktojnë ndarje, xhelozi dhe urrejtje.
Gjithashtu dëmtojnë vetë personin që përgojon – sepse ai mbart barrën e mëkatit dhe humbet respektin e të tjerëve;
-Besimtari i vërtetë duhet të jetë i sinqertë, i drejtë dhe i pastër në zemër. Ai nuk përgojon, nuk lavdëron për sy e faqe, dhe nuk shan prapa krahëve. Një shoqëri ku njerëzit flasin drejt dhe me mirësi, është një shoqëri e shëndetshme. E përgojimi dhe dyfytyrësia janë si acidi që gërryen themelet e moralit.
Eh,Sa janë shtuar këta specje të veçanta!
Ariz Saiti /2025