
“Duaje Strugën tënde, mos e vidh, mos e grabit, mos e ‘vra’, zgjoje nga ëndrra e keqe!”
Ka thirrje që nuk janë thjesht fjalë por janë dhembje. Janë mallkime që lindin nga dashuria dhe zhgënjimi njëkohësisht. Kjo fjali është një thirrje për të gjithë ne, bijtë dhe bijat e Strugës, që jemi rritur në breg të Drinit, buzë liqenit që flet me zë të qetë, por që sot rënkon nën pesha që nuk i meriton.
Struga po lodhet. Po dhunohet në heshtje. Ajo nuk po bërtet, por po qan në heshtje, kur çdo ditë dikush ia shkurton një copë, ia merr një buzëqeshje, ia zbeh një kujtim. Po i merren hapësirat publike, po shiten tokat, po ndërtohet pa plan e pa ndjenjë, po ndoten ujtë dhe shpirti i qytetit. Dhe kjo nuk ndodh nga të huajt. Ndodh nga ne. Nga ata që betohen për ta dashur, por veprojnë si armiq.
Kur vjedh pasurinë publike, vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë.
Struga nuk është një plaçkë që të ndahet mes klanesh, partish, interesash të ngushta. Është një trashëgimi e përbashkët, një dhuratë nga Zoti që duhet ta ruajmë si sytë e ballit.
Po, ajo po “vritet” çdo ditë, pak nga pak, me një ndërtim pa leje, me një prerje të paligjshme, me një vendim të korruptuar. Vrasja nuk është vetëm me armë, por edhe me heshtje, me neglizhencë, me harresë.
Ëndrra e keqe është kjo që po jetojmë, ku më shumë vlen interesi sesa ideali, ku më shumë dëgjohen ata që bërtasin sesa ata që punojnë në heshtje, ku fjala “patriot” përdoret për të mbuluar turpin. Zgjoje Strugën me shembullin tënd, me kurajon për të thënë të vërtetën, me refuzimin për të qenë pjesë e baltës.
Struga është qyteti i poetëve, por sot ka nevojë për më shumë vargje. Ka nevojë për veprim. Ka nevojë për njerëz që nuk e përdorin dashurinë për të bërë emër, por për të bërë ndryshim. Njerëz që nuk i shohin qytetet si burim fitimi, por si burim jete. Sepse një qytet pa dashuri është thjesht një hapësirë e ftohtë, dhe Struga nuk e meriton këtë fat.
Duaje Strugën jo vetëm kur ndriçon, por edhe kur errësohet. Kur përmbytet nga padrejtësitë, nga zullumi, nga harresa. Mos harro, shtëpia jote nuk është vetëm vendi ku flen, por vendi ku e ndjen veten të plotë. Dhe nëse Struga zhduket, një pjesë e shpirtit tonë do të shuhet me të.
Ndalo së vjedhuri! Ndalo së heshturi! Ndalo së “vrari” qytetin tënd! Sepse një ditë, do të jetë shumë vonë për ta zgjuar…
Nëse duam një Strugë të bukur, të fortë, duhet ta duam me zemër, ta mbrojmë me vepra, dhe ta nderojmë me përgjegjësi.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)