Lindim Etemi: E vërteta për Strugën është aq e rrezikshme, sa mund të më vr*asin për të!

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Lindim Etemi-Struga Ekspres

Të vërtetën time do ta them për Strugën, edhe nëse një ditë mund të më vrisni

Nuk më frikëson as heshtja, as kërcënimi, as errësira që përpiqet të mbulojë qytetin tim. E njoh mirë Strugën, me gjithë dritën e saj të fshehur dhe hijet që e kanë rrethuar ndër vite. Dhe pikërisht pse e dua, nuk do të hesht.

Struga nuk është vetëm ura e Drinit dhe malli i poetëve që e këndojnë nga larg. Ajo është edhe rruga ku një nënë dhe baba shet në heshtje për të rritur fëmijët e tyre. Është djaloshi që ka ëndrra, por i mbyllen dyert sepse nuk ka “dikë”. Është mikpritja që s’e gjen askund tjetër, por edhe padrejtësia që bëhet në emër të emrit, fisit apo partisë.

Advertisement

E njoh Strugën nga brenda – jo nga imazhet që shpërndahen në gusht, por nga dhimbja që mbetet kur vizitorët ikin. Nuk e dua për imazhin që të tjerët përpiqen t’i japin, por për shpirtin e saj të plagosur që s’pushon së jetuari. E dua për gjyshërit që më rritën me tregime për nderin, për tokën dhe për dinjitetin, dhe sot shoh si këto vlera treten përballë interesit të shpejtë dhe heshtjes kolektive.

Unë jam nga Struga, dhe këtë qytet e dua siç është,me plagët e veta, jo me maskat që i veshin. Nuk do të hesht kur shoh të drejtën të shtypet dhe hipokrizinë të bëhet lavd. Nuk do të kthej kokën tjetër kur talenti largohet, kur varfëria heshtet, kur e vërteta vritet ngadalë me thashetheme dhe shpifje.

Le të më quajnë si të duan, le të më kërcënojnë, le të më urrejnë. Por unë do ta them të vërtetën time për Strugën, sepse heshtja është tradhti. E vërteta ime është se Struga ka njerëz të mrekullueshëm, por shumë prej tyre janë lodhur nga padrejtësitë. Dhe nëse dikujt kjo e vërtetë i dhemb, le të dhembë. Sepse shpresa lind pikërisht aty ku dikush guxon të flasë.

Nuk jam as i pari, as i fundit që flet me dhimbje për këtë qytet. Por nëse zëri im mund të zgjojë edhe një vetëdije, atëherë ia vlen. Sepse Struga meriton më shumë se kaq: meriton të nderohet, jo të përdoret. Meriton të rilindë, jo të harrohet.

Advertisement

Edhe nëse një ditë mund të më vrisni, dijeni se fjala do të mbetet. Zëri im është i vogël, por jo i vetëm. Dhe Struga ka nevojë për zëra që nuk shiten. Ka nevojë për dashuri që nuk bërtet nëpër rrjete, por lufton në heshtje. Për të vërtetën, që nuk frikësohet as nga dhuna, as nga turmat.

Sepse Struga, pavarësisht gjithçkaje, ende jeton brenda nesh. Dhe për këtë, do të flas gjithmonë.
Lindim Etemi-Struga Ekspres

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy