Lindim Etemi: Kush e largoi rininë nga Struga? Kush i preu ëndrrat e tyre në mes?

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Të tjerët marrin rroga nga shtëpia, të tjerët ikin në Gjermani. Jo për qejf, por nga nevoja. Dhe ndërsa qyteti boshatiset, ndërsa rinia tretet rrugëve të Evropës, ndërsa dritat e shpresës zbehen në çdo familje, ne vazhdojmë të heshtim. Heshtim para padrejtësisë. Heshtim para partive që e kanë shndërruar Strugën në një shesh pazari ku vlerat nuk vlejnë më asnjë grosh.

Kush e largoi rininë nga Struga? Kush i preu ëndrrat e tyre në mes?
Partia. Por jo vetëm njëra, të gjitha ato që me radhë përdorën qytetin si lavjerrës për pushtetin e tyre. Ata që shisnin premtime në fushata dhe blinin heshtjen e njerëzve me një vend pune të përkohshëm. Ata që ndanë gjithçka në bazë të bindjeve, jo të meritës.

Padrejtësia nuk është më lajm në Strugë, është standard.

Advertisement

Është standardi i ngritjes pa mund, i pasurimit pa djersë, i privilegjit pa përgatitje. E në këtë realitet të kalbur, rinia u bë viktimë. Ata që nuk i pranuan këto rregulla, ikën. Ata që donin të ndërtonin me ndershmëri, u mbytën nga korrupsioni. Ata që kërkuan drejtësi, u përjashtuan.

Struga sot është qyteti i boshllëkut dhe nostalgjisë. Por mos gaboni, nuk është faji i atyre që ikën. Faji është i atyre që e sollën këtë qytet në këtë pikë dhe ende guxojnë të flasin në emër të popullit. Ata që nuk japin llogari, ata që ndajnë të mirat e përbashkëta si pronë private. Ata që përçajnë për të sunduar.

Struga nuk ka nevojë për mëshirë, ka nevojë për revolucion mendësie.
Për një përplasje të fortë me këtë sistem të kalbur. Për zgjim. Për guxim qytetar. Është koha të mos mjaftohemi më me fjalët “kështu është këtu”. Është koha të mos kemi frikë nga fjala, nga drejtësia, nga e vërteta.

Sepse po nuk foli Struga sot, nesër nuk do të ketë kush të flasë. Dhe atëherë, do të mbetet vetëm heshtja. Dhe heshtja, e dini mirë – vret më shumë se çdo padrejtësi.

Advertisement

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy