
Mendi Qyra pritet të zyrtarizojë së shpejti kandidaturën për kryetar të Komunës së Strugës. Burime të besueshme thonë se zyrtarizimi i kandidaturës së tij është çështje ditësh, ndërsa përgatitjet në terren tashmë kanë nisur me intensitet.
Qyra, një emër i njohur në skenën publike dhe me reputacion të mirë në qytet, ka filluar takimet me grupe të ndryshme interesi në Strugë, me qëllim ndërtimin e një baze të gjerë mbështetëse për garën e tij politike, njofton Zyrtare.
Sipas informacioneve që kanë dalë nga takimet e fundit, Qyra ka siguruar përkrahjen e disa prej biznesmenëve më të fuqishëm në qytet, të cilët shihen si faktor kyç në mobilizimin elektoral dhe mbështetjen logjistike të fushatës.
Një tjetër sinjal i rëndësishëm politik vjen nga koalicioni opozitar VLEN, nga ku – edhe pse jozyrtarisht – është bërë e ditur se nuk do të nxjerrin kandidat të tyre për Strugën, por janë të gatshëm t’i ofrojnë mbështetje Mendir Qyrës.
Anketat e brendshme, sipas burimeve pranë shtabit të tij, tregojnë se Qyra gëzon mbështetje të fuqishme në opinionin publik lokal, ndërsa aktualisht po punohet intensivisht për finalizimin e strategjisë komunikative dhe programit me të cilin do të dalë para qytetarëve.
Me konsolidimin e mbështetjes politike dhe ekonomike, si dhe me sinjale të favorshme nga opinioni publik, kandidatura e Mendi Qyrës pritet të jetë një nga më të fuqishmet në garën për Strugën.