
Struga, qyteti i artit, i poezisë dhe i kulturës ndër vite, sot po përballet me një heshtje të rëndë – atë të intelektualëve. Në një kohë kur qyteti ka më shumë se kurrë nevojë për zëra të arsyes, për njerëz që mbajnë peshën morale të fjalës dhe dijes, shumë prej tyre kanë zgjedhur të heshtin. Jo nga frika e një shtypjeje politike, por nga një zgjedhje e ndërgjegjshme – për servilizëm, për interesa personale, ose thjesht për rehati, shkruan Struga Ekspres.
Ata që dikur përfaqësonin ndërgjegjen e qytetit, sot i sheh të veshur me kostume të shtrenjta, të pranishëm nëpër evente, por të munguar aty ku duhen më shumë: në mbrojtjen e të vërtetës, të drejtës dhe të qytetit të tyre. Kostumet i mbajnë për t’u dukur, jo për të përfaqësuar. Titujt i shfrytëzojnë si mburojë, jo si përgjegjësi. Në vend të reagimit ndaj fenomeneve negative – korrupsionit lokal, degradimit urban, mungesës së perspektivës për të rinjtë – ata zgjedhin të rrinë të heshtur, të pashqetësuar, të paangazhuar.
Në çdo qytet, intelektuali ka një rol të pazëvendësueshëm: të sfidojë padrejtësitë, të ndriçojë opinionin publik, të mbajë të gjallë shpresën dhe kritikën. Por kur ai bëhet pjesë e sistemit që duhet ta kritikojë, kur e përdor dijen si dekor dhe jo si mjet ndryshimi, atëherë shoqëria mbetet pa busull. Dhe kjo po ndodh në Strugë, shkruan Struga Ekspres.
Nuk është vonë. Në këtë qytet ende ka njerëz të ndershëm, që nuk janë dorëzuar. Por heshtja nuk mund të jetë më normë. Heshtja përballë së keqes është bashkëpunim me të.
(Struga Ekspres)